Pushohet çështja për kreun e Ndërmarrjes së Naftës

21/03/2011 14:35

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat pushon çështjen në ngarkim të drejtorit të Ndërmarrjes së Naftës në qytetin e Kuçovës, reagon organi i akuzës.

Rustem Berhani, drejtor i Ndërmarrjes së Naftës po hetohej prej dy vitesh për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por dy ditë më parë togat e zeza kanë vendosur pushimin e çështjes, çka ka krijuar kështu një tjetër konflikt institucional mes organit të akuzës dhe atij të gjykimit në Berat.

Rustem Berhani, drejtor i Ndërmarrjes së Naftës në qytetin Kuçovës, prej më tepër se dy vitesh akuzohej për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Kështu, sipas burimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, bëhet me dije se dy ditë më parë ka përfunduar gjykimi në gjendje të lirë për Berhanin.

Gjykata vendosi që ta shpallë të pafajshëm dhe pushojë çështjen në ngarkim të tij, duke mos marrë parasysh asnjë nga provat e paraqitura nga organi i akuzës.

Kjo e fundit kishte kërkuar në pretencë dënimin me një vit burg dhe me gjobë për drejtorin Berhani për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Në seancën e fundit të zhvilluar pak ditë më parë, gjykata vendosi t’i japë fund këtij procesi, duke pushuar çështjen dhe duke hedhur kështu poshtë pretendimet e organit të akuzës.

Sipas vendimit të gjykatës, çështja për të cilën drejtori i ndërmarrjes së naftës akuzohej nuk ishte e faktuar dhe si e tillë ajo është pushuar dhe Berhani është shpallur i pafajshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta