PS, padi Bashës për vrasje

21/03/2011 15:50

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do t’i drejtohet prokurorisë së rrethit Tiranë me një kallëzim penal për ngjarjen e 21 janarit, ku akuzohet për vrasje me dashje ministri Lulzim Basha dhe dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj dhe drejtori për Tiranën, Saimir Muca.

Kallëzimi i socialistëve bazohet në veprën e parashikuar në Kodin Penal për vrasjen e dy apo më shumë qytetarëve, të plagosurve dhe vënien në rrezik të jetës së shumë qytetarëve të tjerë.

Kallëzimi penal është firmosur nga shumica e deputetëve të grupit parlamentar socialist dhe do të dorëzohet në organin e akuzës.

Më 21 janar, në demonstratën e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara selisë së kryeministrisë, mbetën të vrarë shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, ndërsa pak ditë më pas humbi jetën për shkak të plagëve me armë zjarri të marra atë ditë edhe shtetasi Aleks Nika.

Kjo ngjarje po hetohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërkohë që edhe mazhoranca pati ngritur një komision hetimor, i cili humbi gjurmët menjëherë pas kërkesës së ndërkombëtarëve për të mos ndërhyrë në kompetencat e organit të akuzës.

Top Channel