PS dorëzoi padinë ndaj Bashës

21/03/2011 19:55

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka dorëzuar kallëzimin penal në prokurorinë e rrethit Tiranë për ngjarjen e 21 janarit.

Në këtë padi akuzohen për vrasje me dashje ministri Lulzim Basha dhe dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj dhe drejtori i degës së Tiranës, Saimir Muca.

Kallëzimi i socialistëve bazohet në veprën e parashikuar në Kodin Penal për vrasjen e dy apo më shumë qytetarëve, te plagosurve dhe vënien në rrezik të jetës së shumë qytetarëve të tjerë.

Kallëzimi penal, i firmosur nga shumica e deputetëve të grupit parlamentar socialist, është dorëzuar nga deputeti Taulant Balla.

“Bashkangjitur këtij kallëzimi, në emër të PS, kemi sjellë për prokurorinë prova dhe dokumente që vërtetojnë fajësinë e 3 shtetasve të akuzuar për masakrën e 21 janarit, që sot bëhen 2 muaj. Në dosje ka dokumentacion të plotë që vërtetëson fajësinë e tyre. Ajo nuk do të bëhet publike në respekt të prokurorisë dhe hetimit të plotë të kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar Balla.

Më 21 janar, në demonstratën e zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara selisë së kryeministrisë, mbetën të vrarë shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda, ndërsa pak ditë më pas humbi jetën nga plagët me armë zjarri të marra atë ditë edhe shtetasi Aleks Nika.

Kjo ngjarje po hetohet edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërkohë që edhe mazhoranca pati ngritur një komision hetimor, i cili humbi gjurmët menjëherë pas kërkesës së ndërkombëtarëve për të mos ndërhyrë në kompetencat e organit të akuzës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta