Protestë para Ministrisë së Brendshme

21/03/2011 18:30

Partia Socialiste protestoi përpara Ministrisë së Punëve të Brendshme për manipulimet që po bëhen sipas saj me listat e zgjedhësve.

Por si mund të manipulohet? Sipas socialistëve, në njësitë bashkiake të Tiranës që kontrollohen nga demokratët po regjistrohen njerëz me kontrata të rregullta qeraje, të cilëve ligji u njeh të drejtën të votojnë në vendin e banimit.

“Pikërisht kjo frikë e ka bërë Sali Berishën dhe Lulëzim Bashën të vënë në punë natë e ditë Al Kaponen e tyre që kanë këtu në ministri për të bërë manipulime dhe maskarada me listat. Merreni me mend të dashur qytetarë të Tiranës, në kohën e diktaturës arrinte që dy apo tre kurora të jetonin në një dhomë e një guzhinë. Al Kapone i Sali Berishës ka regjistruar në një dhomë e një guzhinë 6 kurora që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. I ka regjistruar që ata të votojnë, jetojnë diku tjetër, por në një dhomë e një guzhinë iu ka bërë adresën 6 kurorave. Merreni me mend se çfarë hajdutërie kërkojnë të realizojnë”, deklaroi deputeti Namik Dokle.

Ndërsa kryetarja e njësisë bashkiake numër 1, që kontrollohet nga socialistët, u zotua për vazhdimin e protestave për listat, sa kohë Partisë Socialistë nuk i vihet në dispozicion lista e përditësuar.

“Ne do të jemi këtu çdo ditë derisa të realizohet kërkesa ligjore e PS, për të disponuar listën e përditësuar të zgjedhjeve deri më datën 8 mars. Ne do të jemi këtu derisa Drejtoria e Gjendjes Civile dhe Lulëzim Basha të na japë përgjigje se pse teknikisht sistemi i regjistrit kombëtar të gjendjes civile nuk ka zgjidhur problemin e respektimit të kodit, që do të thotë që pas datës 9 mars, ashtu sikurse deklaroi edhe ambasadori i OSBE-së, asnjë lëvizje e popullsisë të mos ketë efekt në listat përfundimtare të zgjedhësve”, tha Lindita Nikolla.

Përvec kësaj, Partia Socialiste thotë se në lista ka me mijëra persona të dubluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB