Pranga mësuesit të shkollës së natës

21/03/2011 14:45

Një mësues i shkollës së natës “Kostandin Kristoforidhi”, në kryeqytet, ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet për korrupsion.

Ai mendohet se nxirrte dëftesa pjekurie të rregullta për persona të ndryshëm, pavarësisht se nuk kishin qenë të regjistruar asnjëherë në këtë shkollë.

E për këtë shërbim, mësuesi Bashkim Canaj, bashkë me shokun e tij, Petrit Asllani, ku ky i fundit e ndihmonte për të bërë dëftesat, merrte rreth 2 mijë dollarë.

Policia e Tiranës tha zyrtarisht se 57-vjeçari Canaj, me profesion arsimtar pranë kësaj shkolle dhe 49-vjeçari Asllani u arrestuan nga Seksioni kundër Korrupsionit, i cili i mbante në vëzhgim prej pak kohësh.

Sipas të dhënave zyrtare, kapja dhe më pas arrestimi i tyre u krye pas shtrirjes së një hetimi të gjerë, duke aplikuar të gjitha metodat speciale në ngarkim të tyre, me synim zbardhjen dhe dokumentimit tërësisht të veprimeve të tyre korruptive.

Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar, duke regjistruar dhe më pas lëshuar dokumente shkollore për shtetas të ndryshëm, të cilët nga hetimi i kryer rezultojnë se nuk kanë qenë të regjistruar kurrë më parë si nxënës të arsimit të mesëm dhe të përgjithshëm në Tiranë, kryesisht në shkollën e mesme të përgjithshme “Kostandin Kristoforidhi”.

“Gjithashtu, dyshohet se ata, për marrjen dhe vendosjen në dispozicion të një dëftese pjekurie të arsimit të mesëm, merrnin 200 mijë lekë për copë. Rasti i fundit është shënuar dy ditë më parë, ndërkohë që policia ka sekuestruar paratë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave të personave të arrestuar, u gjetën një sërë provash të tjera materiale. Policia tha se atyre u janë gjetur shumë dokumente personash, të cilëve u kishin premtuar se do u nxirrnin dëftesa të rregullta.

Megjithatë, kjo mbetet për t’u vërtetuar nga policia, pasi ende nuk është e sigurt. Burimet zyrtare policore thanë se paratë i merrnin për të nxjerrë dokumente të rregullta, por nuk dihet nëse ato ishin false apo ishin regjistruar sipas rregullores në shkollën e natës “Kostandin Kristoforidhi”.

Pasi të sqarohet kjo pikë e hetimit, do të vendoset edhe akuza e saktë për mësuesin e arrestuar, i cili aktualisht dyshohet për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Më vonë, ai mund të akuzohet edhe për shpërdorim detyre ose falsifikim dhe mashtrim.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta