Pallate pranë Fizikës Bërthamore

21/03/2011 17:20

Pranë Institutit të Fizikës Berthamore nuk duhet të ketë asnjë ndërtesë. Ky vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave për të mbrojtur jetën e qytetarëve është shkelur, pasi fare pranë këtij institucioni, ku janë të depozituara lloje të ndryshme materialesh me rrezik bërthamor, ngrihen godina të ndryshme banimi.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka risjellë në vëmendje këtë fakt.

“Kjo zonë duhet të jetë 150 metra larg Institutit të Fizikës Bërthamore. Oborri po ndërtohet dhe po jepet leje ndërtimi për pallate pranë shtëpive. Kjo zonë është Fukushima e Tiranës”, ka deklaruar Kule.

Por Universitetit të Tiranës i janë marrë edhe shumë territore të saj. Zoti Kule tha se universitetit duhet t’i kompensohet e gjithë sipërfaqja që duhet t’i merret nga Kopështi Botanik për ndërtimin e unazës së madhe.

“Në kalimin që do ketë unaza e madhe tek Kopështi Botanik do kërkojmë që në ristrukturimin e brendshëm bimësia të vendoset sërish, ose hapësira të vendoset në një hapësirë tjetër”, ka theksuar Kule.

Rektorati i Universitetit të Tiranës ka nënvizuar sërish se kampusi universitar duhet të ndërtohet menjëherë pasi në fakultetet e Tiranës ka pak mjedise.

Top Channel