Pacolli: Të rritet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri

21/03/2011 13:20

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se duhet të ketë më shumë bashkëpunim me Shqipërinë në fushën ekonomike, në mënyrë që të hiqen të gjitha barrierat që ekzistojnë.

Në një konferencë të përbashkët me presidentin Bamir Topi, dy krerët e shtetit kanë theksuar se duhet të ketë një unifikim të standardeve në sektorë të caktuar, siç është ai i unifikimit të teskteve shkollore.

Të dy liderët kanë vënë theksin tek lëvizja e lirë mes dy vendeve, jo vetëm të njerëzve dhe mallrave, por edhe të ideve.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, Pacolli ka theksuar se kur gjuha e armëve pushon, duhet të jetë dialogu që duhet të ekzistojë mes dy vendeve fqinje.

“Jam i emocionuar që vizitën e parë e bëj në Shqipëri tek shteti mëmë, tek miku im, dhe kjo do të thotë shumë për mua. Jam i betuar që të punoj për Kosovën dhe qytetarin e Kosovës dhe kombin tim”, është shprehur Pacolli.

“Duhet të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave të kapitaleve dhe ne hapim derën edhe për shtete te tjera që duan t’i bashkohen kësaj iniciative, sidomos Maqedoninë”, shtoi lideri kosovar.

“Kosova ka filluar bisedime me Serbinë shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kosova nuk mund të ketë 60 përqind të kufijve të saj të mbyllur prandaj ajo ka nevojë për bisedime me fqinjët tanë të veriut sepse humbësi më i madh ka qenë Kosova kur serbët u larguan dhe prishën dhe plaçkitën vendin dhe jemi ne që kërkojmë llogari nga ata. Është e mbrapsht ideja që të mos bisedohet. Kur armët pushojnë atëherë duhet të bisedohet. Asnjëherë nuk do të bisedohet për integritetin dhe kufijtë tanë. Çdo gjë tjetër që diskutohet është shumë e rëndësishme për vendin”, tha Pacolli.

Ndërkohë presidenti Topi ka theksuar se Shqipëria me Kosovën do të jenë bashkë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Jam i bindur që bashkëpunimi ynë do të bëjë të mundur që Kosova të ketë reputacion të ri në të gjitha përpjekjet e përbashkëta dhe që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Shqipëria e Kosova do të jenë bashkë në një të ardhme, si pjesë e Bashkimit Evropian”, theksoi Topi.

Top Channel