
Fitorja e Interit përballë Lecce-s, me një gol të parregullt pas prekjes me dorë të topit nga Pazzini, u komentua nga pronari i zikaltërve, Massimo Moratti, si i ndryshëm nga goli i anulluar i Ibrahimovic ndaj Barit, përsëri për prekje të topit me dorë.
”Dua të flas hapur, të dy golat janë të ndryshëm”, deklaroi Moratti për “La Gazzetta dello Sport”, në atë që ishte një deklaratë që hapi polemika të reja në shtypin italian.
”E rëndësishme për skuadrën time është që vazhdojmë të fitojmë terren dhe tani kemi një shans për të dalë të parët në renditje, nëse fitojmë në derbi, pas dy javësh”.
Në sfidën midis dy pretendenteve kryesore për titull në kampionatin italian do të mungojë Ibrahimovic, por edhe Lucio, i pezulluar pas një kartoni të verdhë ndaj Lecce-s.
”Shpresoj që të ndihet më shumë mungesa e Ibrës. Megjithatë, është e qartë që derbi është gjithmonë i paparashikueshëm, prandaj nuk mendoj se mungesa e njërit apo tjetrit do të ketë ndonjë domethënie të madhe”.
I pyetur për shanset e të dy skuadrave për titullin kampion, Moratti replikoi dhe theksoi se nuk janë vetëm dy milanezet në luftë. “Flasim vazhdimisht për dy ekipet tona, por unë shoh edhe një Napoli që po bën një punë të shkëlqyer, që vazhdon të impresionojë dhe është vetëm tre pikë larg”.
Top Channel