Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA

21/03/2011 16:15

Ndonëse ka kaluar një javë prej 15 marsit, Instituti shqiptar për Studime Ndërkombëtare përkujtoi 15 marsin e vitit 1991, ditën kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara.

“SHBA për shqiptarët është një aleat strategjik dhe një vennd mik tek i cili, populli ynë ka marrë mbështetje në momentet më kritike të historisë së tij”, deklaroi ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto.

Në një sallë të mbushur jo vetëm me politikanë, por edhe me studiues të zhvillimeve shqiptare, zëvendësambasadorja amerikane citoi mesazhin e sekretares Clinton, sipas së cilës rivendosja e marrëdhënieve shënoi një fillim të ri për zhvillimin e Shqipërisë si vend demokratik.

“Ky përvjetor përkujton partneritetin tonë, na kujton ne përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin e së ardhmes së Shqipërisë, sidomos ndërkohë që ju ndërmerrni hapat e nevojshëm për të arritur synimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Deborah Jones.

Deputetja socialiste Valentina Leskaj kujtoi mesazhin e qeverisë amerikane për qeverinë shqiptare në vitin 1946, ku flitej për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas saj, kjo mbetet aktuale edhe sot.

“Sot ka pritshmëri për një proces zgjedhor të lirë e të besueshëm, ka pritshmëri për shtet ligjor dhe institucione të pavarura. Mbështetja e partnerëve ka qenë e madhe, i mbetet politikës pjesa tjetër e përgjegjësisë”, tha Leskaj.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara u rivendosën më 15 mars të vitit 1991, pas 52 vjet ndërprerje për shkak të Luftës së Ftohtë.

Top Channel