
Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan deklaroi me kushtin e anonimitetit për “Associated Press” se ekspertët ushtarakë të vendit të tij besojnë që konflikti mund të zgjasë për një kohë të gjatë.
Në dy ditët e para të bombardimeve janë shënjestruar bazat ajrore dhe avionët luftarakë libianë, në mënyrë që të bëhej e mundur nxjerrja jashtë loje e flotës ajrore të Gaddafi-t, por forcat e këtij të fundit kanë bombarduar me mortaja qytetet e Misratës dhe Ajdabijës.
Me shkatërrimin e objektivave kryesorë, forcat e koalicionit mund të përqendrohet tek shkatërrimi i mjeteve të rënda luftarake, por përsëri kjo pritet të mos sjellë fundin e konfliktit.
Ndërsa ndërhyrja ushtarake bëri të mundur që trupat qeveritare të tërhiqeshin nga Bengazi, mbetet e qartë për ekspertët se stërvitja dhe pajimet e trupave të rregullta të ushtrisë apo mercenarëve është më e mirë se ajo e rebelëve.
Të privuar nga mjetet e rënda si tanqe apo artileri, rebelët do të jenë të detyruar të mësyjnë në masë qytetet në duart e Gaddafi-t, por në kushte të këtilla, forcat mbrojtëse do të ishin qartësisht të avantazhuara.
Sipas ekspertit të ushtrisë amerikane, armatimi i rebelëve është një opsion që duhet studiuar, edhe pse është e qartë që ata nuk e kanë kualifikimin e duhur për të komanduar çdo pajisje luftarake.
Në çdo rast, fundi i luftës në Libi duket larg, ndërsa është e mundur që të krijohet një situatë ku asnjëra palë të mos jetë në gjendje të marrë qytetet e palës tjetër, duke bërë që vendi të jetë i ndarë virtualisht në dy kampe.
Top Channel