
Edhe pse që në vitin 2009 Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi qeverisë të ndalë prokurimet e drejtpërdrejta për reklamat në media, sot pas një viti kosntatohet nga kreu i këtij isntitucioni se asgjë nuk ka ndryshuar.
“Edhe për reklamat është e njëjta gjë. Shumë pak ka ndryshuar situata. Do vazhdoj prapë derisa të rregullohet”, ka deklaruar Robert Ceku.
Sipas KLSH-së, qeveria i bën prokurimet për reklama në media me mangësi të theksuara ligjore dhe pa garë, duke mos marrë parasysh asnjë kriter teknik që ka të bëjë me madhësinë e një mediaje, apo aftësinë mbuluese të territorit dhe audiencës.
Sipas një monitorimi për shpërndarjen e reklamës qeveritare në televizione, të botuara në revistën ekonomike “Monitor”, rezulton se 70% e buxhetit shtetëror ka shkuar për televizonin Klan dhe rreth 10 për qind për Top Channel.
Ndërkohë, duke paraqitur raportin vjetor të KLSH për vitin 2010, Ceku denoncoi edhe një fakt tjetër se edhe rekomandimet e KLSH për abuzimet në projektet e mëdha publike, si ai i rrugës Durrës-Kukës, injorohen nga agjencitë nën varësinë e qeverisë.
“Të gjitha rekomandimet që kam dhënë ngelen në ato nivele, nuk ka ndonjë progres të dukshëm. E vetmja gjë që kam në dorë është të përsëris kërkesën që të rregullohen”, ka pohuar Ceku.
Kreu i KLSH këmbënguli sërish në ndryshimin e skemës së rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, që sipas tij në jo pak raste përdoret për të vjedhur fondet publike.
Pak kohë më parë, vetë ministri i Financave pranoi se kompanitë e ilaceve i kanë vjedhur shtetit përmes kësaj skeme qindra milionë euro.
“Lidhur me rimbursimin për ilacet, e kam thënë se ky ligj duhet rishikuar i gjithi. Ligji i TVSH-së. Sepse thelbi i këtij ligji duhet prekur si nocion”, ka theksuar Ceku. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se gjatë vitit 2010 abuzimet me fondet e buxhetit ishin 1.6 miliardë lekë.
Top Channel