“Shqip”, Lubonja rrëfen “Mars 1997”

21/03/2011 21:55

I ftuar në emisionin “Shqip”, në Top Channel, publicisti i njohur Fatos Lubonja ka rrëfyer opinionin e tij mbi marsin e 97-ës, të cilin e ka shprehur në librin e tij me të njëjtin titull.

Lubonja është shprehur se librin e ka shkruar nga këndvështrimi i viktimave, drejtësia për të cilat nuk është vënë ende në vend.

“Librin ua kushtoj viktimave, të cilave duhet t’u japim të vërtetën. Të vërtetën e atyre njerëzve dhe jo të heronjve. Është një libër që unë e kam shkruar nga ana e të humburve. Një fjalë e urtë afrikane thotë, ‘sikur historinë ta tregonin luanët dhe jo gjahtarët, ajo do të ishte ndryshe’”, ka treguar Lubonja.

Gjatë rrëfimit mbi librin e tij, Lubonja ka nënvizuar se përgjegjësja e vërtetë e vitit të mbrapshtë të 97-ës ka qenë politika, e cila nuk e ka paguar cmimin.

“Ishin njerëzit që e pësuan në atë situatë, ndërsa klasës politike, që ishte përgjegjëse, nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë. Një akt i tillë ishte një dhunë që e pësoi e gjithë shoqëria dhe ajo që më ka munduar gjithmonë ka qenë kjo, që ti si person edhe mund të falësh dikë, por shoqëria ka nevojë për drejtësi”, ka deklaruar Lubonja.

“Njerëzit e atyre që e kanë pësuar mund të vrasin njerëz të tjerë. Kjo shoqëri nuk bëri drejtësi për dënimin e këtyre akteve dhe ne jemi të destinuar të përsërisim të keqen. Kjo më shqetëson mua”, ka vijuar ai.

Lubonja ka shpjeguar edhe krahasimin që ai në libër i bën aktvrasjes dhe vëllavrasjes, të cilat ua atribuon edhe politikanëve.

“Aty ishte një moment ku ajo turmë kishte instiktin ta kryente këtë aktvrasje, e cila dështoi. Do guxim një akt i tillë. Berisha është në frymën e vëllavrasjes. Në këtë situatë ky ka luftuar për jetë a vdekje, ndërkohë që pjesa tjetër nuk ishte në këtë lloj lufte. Pastaj ka pasur të gjithë pushtetin në dorë, që i jep autoritet, por kishte autoritetin e atit, që të tjerët nuk e kishin. Ja pse ka ardhur sërish”, është shprehur Lubonja.

Më tej ai ka komentuar edhe marrëveshjen e 9 marsit, të cilën e vlerëson si djepin e katrahurës që pasoi.

“E vërteta ime nuk përkon me asnjë nga të vërtetat e palëve politike, as me atë të PS dhe as me atë të PD. Sot njerëzit janë manipuluar dhe kanë harruar se katrahura ndodhi pas marrëveshjes së 9 marsit, e cila ishte një gjeneruese e katrahurës”, ka shtuar Lubonja.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta