PS: Qeveria nuk lufton dot krimin

20/03/2011 19:55

Partia Socialiste akuzoi qeverinë se nuk ka vullnet të luftojë krimin, pasi Ministri i Brendshëm është vetë dy herë i kërkuar për vjedhje e vrasje, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë është akuzuar për kontrabandën e naftës verxhine.

“A e dini sa është bilanci i vrasjeve në javën që po lëmë pas? Tetë vrasje vetëm në 2 ditë. Tetë jetë të humbura për faj të Lulzim Bashës i cili si Ministër i Brendshëm ka krijuar të gjitha kushtet që të lulëzojë krimi organizuar, trafiku, korrupsioni, vjedhjet dhe aksidentet rrugore. Ky pushtet i Saliut dhe i Lulit është shndërruar në njësh me krimin, kusarinë, matrapazllëqet dhe trafikut e për këtë fajin e ka Sali Berisha”, tha deputeti socialist, Taulant Balla.

 

“Nafta, dëmi 63 milion euro”

Opozita u shpreh se biznese të lidhura me qeverinë, koston aktiviteti kriminal të kontrabandës ia faturojnë qytetarëve të thjeshtë.

“63 milion euro është vlera minimale e trafikut masiv me naftën bruto të hedhur në treg nga skema e organizuar mirë dhe me fitime kolosale për pushtetin. 63 milion euro është vetëm vlera përfitimit për një qarkullim minimal prej 50 mijë tonësh për trafikantët, që cuditërisht nuk i ka parë dhe nuk i ka nuhatur asnjë segment i policisë dhe as i shtetit. Si nuk di kryeministri vendit për skemat mafioze përcse kur është vetë i përfshirë në to. Dëmi ekonomik dhe shëndetësor, tepër më i madh nga 63 milion euro, është paguar në para dhe sëmundje nga cdo qytetar normal që blen me besim në treg, naftën verxhin si të ishte karburant normal”, deklaroi Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati,

Top Channel