Hetuesit ‘zbarkojnë’ në Elbasan

20/03/2011 19:30

Ekzekutimi i tre pjestarëve të familjes Mahmutaj në Elbasan vazhdon të mbajë të shokuar qytetin, ndërsa vrasja mbetet mister për policinë.

Pista më e mundshme mbetet ajo e hakmarrjes, por edhe 24 orë pas vrasjes së trefishtë gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve.

Në hetimet paraprake për ekzekutimin e tre personave dhe plagosjen e rëndë të një të katërti, policia e Elbasanit ka shoqëruar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët mund të kenë patur dijeni për ngjarjen.

Të paktën 15 persona, i janë nënshtuar pyetjeve intensive nga grupi hetimor i ngritur për këtë krim të rëndë, por që policia nuk deklaron asgjë zyrtarisht në lidhje me këto hetime.

Një numër i madh specialistësh nga Drejtoria Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, i janë bashkuar kolegëve të tyre në Elbasan si edhe grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda.  

Por edhe pse ka një volum të madh lëvizjesh, ekspertizash si edhe pyetje dëshmitarësh ende nuk ka një të dyshuar për vrasjen e Emin, Xhelal dhe Pëllumb Mahmutaj.

Ndërkohë që gjendja shëndetësore e Myzejen Qoses, 35 vjecares të plagosur me një plumb në kokë natën e ngjarjes,  vazhdon të mbetet e rënduar dhe është në rrezik për jetën.

I vetmi person që mund të kishte detaje më të hollësishme për këtë ngjarje mbetet Andon Mahmuti, vëllai i viktimave, për të cilin dyshohet se është kryer edhe ngjarja. Mahmuti është në kërkim nga policia për shkak se dyshohet të ketë kryer dy vrasje, që kanë sjellë edhe hakmarrjen.

Drejtoria e Policisë së Elbasanit vazhdon t’u bëj thirrje qytetarëve që të japin informacione të sakta, kundrejt një shpërblimi prej 50 mijë dollarë.

Top Channel