
Presidenti amerikan, Barak Obama në një deklaratë të ashpër nga Shtëpia e Bardhë i kërkoi Muamar Gadafit që forcat e tij të mos u afrohen qyteteve që kontrollohen nga rebelët.
Obama iu referua rezolutës së OKB-së dhe deklaroi se ushtarët tanë janë gati dhe do të veprojnë për të mbrojtur popullin e Libisë.
“Armëpushimi do të implementohet menjëherë, që do të thotë se të gjitha sulmet duhet të ndalojnë. Muamar Gadafi duhet të ndalojë avancimin e trupave të tij, ato duhet të tërhiqen nga qytetet e marra nga rebelët përfshirë edhe Bengasin, ndihma humanitare duhet lejuar të mbërrijë për njerëzit në Libi. Të gjitha këto janë të panegociueshme, Gadafi nuk ka zgjidhje tjetër vecse të pajtohet me këto kushte sepse po nuk e bëri, rezoluta e OKB-së do të zbatohet përmes veprimit ushtarak”, tha Obama.
Presidenti megjithatë theksoi se iniciativa është ndërkombëtare dhe se SHBA nuk do të zhvendosin trupa në terren.
“Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton do të udhëtojë drejt Parisit për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar për krizën e Libisë. Aty do të diskutohen hapat e ardhshëm që do të ndërmerren pas aprovimit të rezolutës në KS”, shtoi më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, nga terreni mbërrijnë lajme se forcat e Gadafit nuk i kanë reshtur sulmet, pavarësisht pushimit të zjarrit të vendosur si përgjigje e rezolutës së OKB-së që autorizonte përdorimin e forcës për mbrojtjen e civilëve.
Sipas lidërve opozitarë në Libi, shpallja e armëpushimit ishte thjesht një manovër e Gadafit për të fituar kohë.
Top Channel