
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar gjatë së shtunës, ndaj deklaratës së shefit të diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto, në lidhje me bashkimin kombëtar.
Zoti Haxhinasto kur u pyet të premten për bashkimin kombëtar deklaroi se, “Tezat për bashkime, për shkëmbime territoresh, janë teza të dëmshme, që nuk i shërbejnë aspak, e aq më pak shqiptarëve”.
Kjo deklaratë ka ngjallur reagimin e veteranëve të luftës, që përmes një komunikate për media thuhet se:
“Ne i rikujtojmë ministrit Haxhinasto se lufta e UÇK-së kishte në themelet e saj çlirimin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Neve nuk na nderon as vizita e tij në varrin e komandantit legjendar Adem Jashari, derisa është në kundërshtim të plotë me idealin e komandantit legjendar dhe mijëra dëshmorëve që dhanë gjak për një Komb, një Atdhe, një Gjuhë e një Flamur”.
Deklaratat e tilla kundër bashkimit kombëtar, sipas Veteranëve nuk i bëjnë nder as ministrit dhe as qeverisë që ai përfaqëson dhe janë në kundërshtim me përpjekjet shekullore të kombit shqiptar.
Një reagim në lidhje me deklaratën e zotit Haxhinasto ka ardhur edhe nga subjekti politik Lëvizja për Bashkim, e cila përfaqësohet me dy deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në reagimin e kësaj lëvizjeje deklaratat e z. Haxhinasto janë konsideruar si “të papërgjegjshme”.
Top Channel