
Nga Ishmi kryeministri Sali Berisha sulmoi rivalin e tij Rama, të cilin e quajti humbësin e madh të zgjedhjeve të 8 majit.
Sipas zotit Berisha, socialistët dhe vecanërisht kreu i tyre po kërkon të imponojë një fushatë politike për shkak se i mungojnë alternativat përballë qytetarëve.
E për më tepër kreu i qeverisë theksoi se rivali i tij po përpiqet t’i shmanget një debati të hapur në publik, i cili sipas tij do të nxirrte lakuriq të vërtetën se kryebashkiaku përvec protestave nuk ka bërë asgjë tjetër për Tiranën.
“Zotëria e tij, që ka bërë vetëm deklarata për kuti në dy vitet e fundit, nuk ka c’tu thotë qytetarëve. Ndaj ka vendosur të bëjë një fushatë të vjetër, të bazuar në sharje, shpifje e trillime. Etërit, bijëve do t’iua u kishin lakmi”, ka deklaruar Berisha.
Duke theksuar se kjo fushatë do të jetë me qytetarët dhe për qytetarët, kryeministri renditi një sërë arritjesh dhe projektesh që do të realizohen në 4 vitet e ardhshme të pushtetit lokal, por edhe atij qendror.
Pasi ka inaguruar rrugën që lidh Bubqin me Ishmin 13,4 km e gjatë, me një kosto rreth 297 milionë lekë, kryeministri vizitoi edhe varrin e piktorit Ibrahim Kodra. Por edhe këtu kryeministri nuk ka shmangur ironinë për kundërshtarin e tij.
“Këtu tek varri i Ibrahim Kodrës është vendi ku mund të lutem. Vendi që shpëtoi shqiptarët nga piktorë dështakë. Të merren me bojra e të lyejnë pallatet, por pikturat t’ua lënë kolosëve”, është shprehur Berisha.
Top Channel