Shorti i Champions, reagimet e skuadrave

18/03/2011 18:40

Shorti i hedhur sot në Nion të Zvicrës përcaktoi rrugën e tetë pretendenteve të mbetura për titullin në Champions League. Disa orë pas zbulimit të misterit, këto janë deklaratat e protagonistëve të këtij shorti.

Javier Zanetti (Inter) – “Duhet të respektojmë Schalke-n sepse është një kundërshtar i fortë dhe sepse deri në çerekfinalet e Champions nuk shkohet rastësisht. Në gjysmëfinale një sfidë angleze? Duhet të mendojmë një herë të kalojmë këtë raund, më pas mendojmë për rivalët në katërshe”.

Christoph Metzelder (Schalke) – “Është një sfidë e madhe, kundër një kundërshtari tepër të rëndësishëm. Jam veçanërisht i kënaqur që do të luaj përballë Wesley Sneijder, sepse e njoh që nga koha kur luanim bashkë tek Real Madridi. Së bashku me Samuel Eto’o, ai formon dyshen më të frikshme sulmuese në botë”.

Emilio Butragueno (drejtues, Real Madrid) – “Mund të shkonte edhe më keq, por Tottenhami eliminoi një skuadër të madhe si Milani dhe ka futbollistë të mëdhenj. E ardhmja e Mourinhos? Jemi në mars dhe kemi ende shanse të fitojmë çdo kompeticion ku marrim pjesë. Nuk ka arsye përse ai duhet të ikë”.

Harry Redknapp (trajner, Tottenham) – “Do të jetë një ndeshje fantastike, në gjendje t’i dhurojë një emocion të madh tifozëve tanë. Luajmë ndaj një skuadre legjendë në historinë e futbollit dhe skuadra e tyre e tanishme është shumë e fortë, por kemi të qartë se në këto ditë në futboll, gjithçka mund të ndodhë”.

John Alexander (drejtues, Manchester United) – “Zakonisht, është një avantazh të luash ndeshjen e dytë në shtëpi dhe jemi të kënaqur për këtë. Dëshironim të shmangnim Barcelonën dhe lajmi i mirë është që me ta mund të ndeshemi vetëm në finale. Besojmë se mund t’ia dalim mbanë deri në fund”.

David Bernard (drejtues, Chelsea) – “Champions është një kompeticion tërësisht i ndryshëm nga Premier League. Pa dyshim, të dyja skuadrat njihen shumë mirë dhe do të jenë shumë të motivuara. Është e qartë që do të shohim një ndeshje të madhe”.

Hosep Guardiola (trajner, Barcelona) – “Do të jenë dy sfida spektakolare, pasi Shakhtari, ashtu si ne, është një skuadër e fortë që praktikon një lojë të bukur. Treguan ndaj Romës se çfarë mund të bëjnë, prandaj është shumë e rëndësishme të luajmë si dimë dhe të ruajmë përqendrimin gjithmonë”.

Sergey Palkin (drejtues, Shakhtar Donetsk) – “Askush nuk dëshironte të ndeshej me Barcelonën sepse është e qartë që ata janë favoritët kryesorë për titullin. Megjithatë, ne do të përpiqemi të luajmë sa më mirë dhe në mënyrë të hapur, me qartësinë se kemi ecur shumë mirë deri këtu dhe nuk kemi se çfarë të humbim”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta