Romët në mëshirë të fatit

18/03/2011 19:45

Romët e shpërngulur me dhunë nga barakat e tyre pranë stacionit të trenit në Tiranë, sot gjenden të shpërndarë nëpër zona të ndryshme të kryeqytetit dhe Shqipërisë.

Prej një muaji ata jetojnë në ndërtesa të braktisura, ku nuk ka as ujë dhe as energji dhe që më shumë ngjasojnë me vendgrumbullime mbeturinash.

Një grua është nënë e dhjetë fëmijëve, të cilët janë analfabetë dhe të prekur nga sëmundje të ndryshme.

“Më ka ndihmuar vetëm një shoqatë. Më dhanë ushqime dhe rroba”, tregon ajo.

Mënyra për të siguruar jetesën tani është lëmosha e të tjerëve.

“Me çfarë të shkojnë në shkollë. Dalin e lypin se duan të hanë”, thotë ajo.

Në një tjetër zonë, pranë Fushës së Druve, janë strehuar tre familje, të cilat duhet të paguajnë 3 mijë lekë të vjetra qera, për një barakë.

“Asnjë fëmijë romë nuk shkon në shkollë, ku të shkojnë. Vijnë dhe na marrin emrat kot”, thotë një tjetër rome.

Disa familje rome që janë dëbuar nga Tirana me dhunë janë strehuar në Elbasan dhe pjesa më e madhe lypin në rrugë për të mbijetuar.

“Mblidhnim kanaçe dhe hekura, i shisnim dhe u jepnim bukë kalamajve. Tani si do bëhet puna jonë?”, thotë një prej tyre.

Organizata që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut kanë përfituar financime për projekte të ndryshme për të mbështetur integrimin e këtij komuniteti. Romët tregojnë se të vetmet përfitime që kanë marrë ka qenë regjistrimi në gjendjen civile dhe një pako modeste ushqimesh.

Gjatë vitit 2008 deri në 2010, organizatat joqeveritare kanë përfituar rreth 5 milionë euro nga donatorë të huaj vetëm për romët.

Këto para duhet të shfrytëzoheshin për riintegrimin e tyre në shoqëri. Në Elbasan numërohen të paktën 600 familje ku 400 prej tyre janë përqëndruar në lagjen “5 maji” në vendin e quajtur Rrapishtë.

Të premten, në Ministrinë e Punës, është zhvilluar një takim me të gjitha organizatat që kanë përfituar donacione për të ndihmuar komunitetin rom, ku është vendosur që ditën e hënë të diskutohet për godinat ku do të qendrojnë përfundimisht 45 familjet rome.

Zyra e shtypit në Ministrinë e Punës ka sqaruar se organizatat kanë marrë përsipër shpërndarjen e të gjitha materialeve që u duhen familjeve në këto ditë.

Ndihma të cilat, mesa duket nuk kanë mbërritur ende në duart e këtyre familjeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta