Ndërsa pritej një kërkesë e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Fatmir Limajt, prokurori i Kosovës deklaroi se zoti Limaj nuk gëzon mbrojtje pasi akuzohet për një veprim që e ka kryer kur nuk ka qenë deputet.

Në një komunikatë për mediat, kryeprokurori Ismet Kabashi, bazuar në pikën 1 të nenit 9 të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, gëzojnë imunitet nga ndjekja penale vetëm për veprimet e ndërmarra në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre gjatë kryerjes së funksionit si deputetë dhe nuk gëzojnë imunitet për veprat penale të ushtruara para se të zgjidhen në këtë post. Kjo do të thotë se imuniteti është i pavlefshëm për vepra që mund të jenë kryer para zgjedhjeve të fundit.

Sidoqoftë ka qenë pikërisht cështja e imuniteti ajo që ka mbajtur peng veprimin e EULEX ndaj deputetit Fatmir Limaj, pavarësisht se 2 ditë me herët kishte lëshuar një urdhër-arrest për të.

Gjatë të premtes, EULEX nuk ka patur një përgjigje konkrete për cështjen Limaj. Burime brenda misionit deklaruan se prokurorët ndërkombëtarë janë duke u marrë me këtë cështje dhe arsyeja pse nuk ka veprime konkrete është interpretimi në forma të ndryshme i ligjeve të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa EULEX nuk ka vendosur ende se cfarë veprimi do të ndërmarrë ndaj tij, avoakti i zotit Limaj thotë se ai urdhër-arrest është i paligjshëm.  

“Ai urdhër-arrest nuk mundet në asnjë mënyrë të ekzekutohet. Ata e kanë parë që është kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës. Do ishte më e logjikshme, më njerëzore të tërhiqej një urdhër-arrest i lëshuar në mënyrë të kundraligjshme sepse nuk është fundi i botës nëse dikush prej zyrtarëve të EULEX nuk e ka ditur këtë ligj. Nuk është hera e parë dhe as hera e fundit që një dokument gjyqsor apo prokurorial nuk është në harmoni me ligjin dhe të tërhiqet”, deklaron avokati Tomë Gashi.

I dyshuar për krime lufte, deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj, një ditë pas lëshimit të urdhër-arrestit, në mënyrë vullnetare është treguar i gatshëm të heqë dorë nga imuniteti i deputetit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta