
Shqipëria ka të gjitha mundësitë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme, pasi i keni të gjitha strukturat.
Ka qenë kjo një ndër deklaratat që ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth ka bërë nga Lezha gjatë takimeve me drejtuesit lokalë.
“Ajo që iu duhet për zgjedhje të ndershme i keni në Shqipëri. Keni Kodin Zgjedhor, keni partite politike që kandidojnë, keni KQZ-në, komisione vëzhguese dhe prezencën e ndërkombëtarëve për t’i vëzhguar këto dhe kjo duhet të funksionojë. Ajo që presim janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ku votuesit do bëjnë zgjedhjene e tyre”, ka deklaruar Wolfarth.
Gjithashtu, duke iu përgjigjur interesit te gazetarëve për situatën, përgatitjet zgjedhore, si dhe listat e zgjedhjeve Wolfarth ka theksuar:
“Në KQZ ne kemi 7 anëtarë të përzgjedhur nga qeveria dhe opozita dhe të gjithë duhet të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit. Ajo që kemi vërejtur me shqetësim është se kjo gjë nuk po ndodh prej disa javësh. Dita e zgjedhjeve është shumë pranë dhe nuk është koha të ndryshohet Kodi Zgjedhor, pasi përgatitjet janë në fazën e fundit dhe qytetarët, votuesit kanë nevojë për siguri ligjore. Kodi aktual e jep këtë siguri dhe një pjesë e kësaj sigurie është të mos kemi ndryshime të papritura. Koha për ndryshime në Kodin Zgjedhor do të vijë shumë shpejt në zgjedhjet pasardhëse. Lista paraprake, ashtu si listat e zgjedhjeve, përgatiten me anë të një sistemi të përmirësuar të adresave në zyrat e gjendjeve civile dhe me anë të bashkëpunimeve institucionale. Dhe sipas informacionit që unë kam, listat paraprake janë publikuar që qytetarët të kenë mundësi t’i shohin”, ka pohuar Wolfarth.
Ambasadori i OSBE ka diskutuar me drejtuesit lokalë në Lezhë në lidhje me përgatitjen e procesit zgjedhor, por edhe për problemet e qarkut në vecanti. Në fund të vizitës ambaadori ka parë nga afër edhe vendvarrimin e Skëndërbeut.
Top Channel