Kryeministri Indian: Asnjë blerje votash

18/03/2011 15:30

Kryeministri Indian, Manmohan Singh, hodhi poshtë të gjithë spekulimet se ai bleu votat e disa deputetëve të opozitës, kur një mocion mosbesimi u paraqit ndaj qeverisë në vitin 2008.

”Të gjithë deputetët votuan me ndërgjegje të lirë dhe nuk ka patur asnjë lloj ndikimi. Për këtë ka prova të qarta. Mendoj se raportimi i Wikileaks është tendencioz, keqdashës dhe përbuzës”, deklaroi Singh.

Një ditë më parë u publikua nga Wikileaks një kabllogram e vjedhur nga raporti që Ambasada Amerikane në Nju Delhi i dërgonte Uashingtonit.

Në këtë kabllogram përshkruhej se si një punonjës i ambasadës kishte mundur të shikonte disa “thasë me para”, të cilat i shkuan deputetëve të caktuar për të garantuar mbetjen në pushtet të partisë së Kryeministrit Singh.

Eventualisht, partia e Singh mbijetoi nga ai mocion mosbesimi, pas një rezultati të ngushtë. Ky raport i Wikileaks shton presionin mbi qeverinë indiane, të përfshirë së fundmi në disa spekulime të rënda korrupsioni.

Top Channel