Falja, hipotekë për apartamentet

18/03/2011 15:20

Qytetarët që kanë blerë apartamente pa hipotekë do të munden që së shpejti të marrin pronësinë e tyre. Ministri i Financave miratoi kërkesën e shoqatës së ndërtuesve për të përfshirë në falje edhe disa mijëra apartamente që nuk kanë marrë hipotekën për pengesa fiskale ose burokratike.

“Ftoj shoqatën e ndërtuesve dhe biznesin që të bëjnë propozimin e tyre për ta formuluar në qeveri dhe për të ndërmarrë një nismë për ta zgjidhur këtë çështje”, deklaroi Bode.

Ai zbuloi në një takim të posaçëm me biznesin mbi amnistinë së qeveria ka në plan një proçes gjithëpërfshirës dhe të shpejtë.

“Do të ishte një periudhë 6-7 mujore dhe në pranverë të vitit të ardhshëm do duhet të bëhet deklarimi i plotë i tyre. Një amnisti këtë vit është e domosdoshëm për t’i shpëtuar presionit ligjor”, është shprehur Bode.

Kreu i financave i ka dhënë përgjigje edhe pyetjeve se sa do të taksohen kapitalet e fshehura që do deklarojë biznesi dhe individët.

“Do të marrim në konsiderat jo vetëm eksperiencën e vendeve të tjera, por edhe faktin që kemi nje barrë fiskale shumë të ulët. Ne do të marrin në kosideratë se kush do të jetë niveli normal dhe kush do të jetë ai stimulus”, tha Bode.

Por pikëpyetja më e madhe mbetet konsensusi politik. Amnistia e gjerë fiskale kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, që për momentin duket e vështirë.

Qeveria ka deklaruar se nëse nuk do të marrë mbështetjen e opozitës do e reduktojë proçesin në një falje të detyrimeve të njohura të prapambetura që biznesi dhe individët kanë në shtet, ku hapi i parë duket se është ai i faljes së borxheve në KESH.

Por jo zyrtarisht burime nga financat thonë se po shikohen edhe disa opsione të, për të përfshirë në falje edhe elementë të amnistisë, për të cilit ligji lë hapësirë miratimi pa shumicë, edhe pse ende nuk është e qartë se cilat janë ato.

Top Channel