
Shefi i ushtrisë pakistaneze e dënoi ashpër sulmin e kryer në mëngjes nga një avion i autopilotuar amerikan mbi një krahinë të njohur për mikpritjen e elementëve terroristë.
Në një komunikatë veçanërisht të fortë, gjenerali Ashfaq Parvez Kayani theksoi se sulmi, i cili la më shumë se 40 viktima, “është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Këto akte janë të patolerueshme dhe të pajustifikueshme”.
Shumica e të vrarëve besohet se ishin civilë, të cilët ishin duke marrë pjesë në një mbledhje tribale në kryeqytetin e Vaziristanit, Miranshah.
Marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Pakistanin duket se kanë arritur një nivel veçanërisht të ulët.
Sulmet e shpeshta amerikane ndaj terroristëve të supozuar në veriperëndimin e vendit kanë qenë prej kohësh objekt mosmarrëveshjes, por situata është ndezur edhe më shumë nga protestat që ngjalli lirimi nga një gjykatë pakistaneze e një funksionari të CIA-s, i cili vrau dy qytetarë në qytetin e Lahores.
Top Channel