NATO diskuton mburojën anti-raketë

17/03/2011 15:25

Përfaqësuesit e shteteve anëtare të NATO-s kanë diskutuar në Tiranë të ardhmen e Strategjisë Ushtarake dhe Politikave të Aleancës, kryesisht në luftën kundër lëndëve bërthamore dhe përparimin e deritanishëm të luftës në Afganistan.

Takimi vjen fill pas atij të Lisbonës. Në hapjen e tij, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Arben Imami vlerësoi rëndësinë e këtij takimi dhe e cilësoi atë si më të rëndësishmin e këtij viti për politikën bërthamore për 2011-ën.

“Unë jam i kënaqur që ju mirëpresim në Tiranë për këtë takim të Politikave Bërthamore të NATO-s për vitin 2011. Kjo është hera e parë që në një takim të tillë të Politikave të Mbrojtjes në vendin tonë vijnë së bashku ekspertë të shquar të politikës bërthamore. Simpoziumi i politikës bërthamore të NATO-s, i cili u mbajt pak kohë më parë në Lisbonë, është një ndër mbledhjet më të rëndësishme të nivelit të lartë në historinë e organizatës së NATO-s. Për këtë arsye vendimet që ju do të merrni në këtë mbledhje sigurojnë që NATO në të ardhmen të jetë më efektiv, më i angazhuar dhe më i aftë se cdo herë tjetër në të kaluarën”, deklaroi Imami.

Në këtë takim tepër sekret dhe pa praninë e medias, u diskutua për sistemin mbrojtës raketor, një plan ky që në të kaluarën ka shkaktuar mosmarrëveshje serioze me Rusinë.

Ky sistem, fillimisht i propozuar nga ish-presidenti George Ë. Bush, është kundërshtuar ashpër nga rusët, por me ardhjen në pushtet të presidentit Barack Obama duket se përfaqësuesit e NATO-s po gjejnë gjuhën e përbashkët edhe me Moskën zyrtare.

Ekspertët dhe udhëheqësit e NATO-s do të përpiqen të shënojnë një fillim të ri në marrëdhënjet e Aleancës me Rusinë.

Top Channel