Niveli i lartë i radioaktivitetit detyroi evakuimin e punonjësve të mbetur në uzinën Fukushima Daiichi. Por nuk kaloi gjatë përpara se ata të riktheheshin. Një skuadër elite teknikësh përballet me zjarret, rrezatimin dhe rraskapitjen në përpjekjet e mundimshme për ftohjen e reaktorëve.
“Këta njerëz, – shkruan the Guardian, – po kthehen në heronjtë pa fytyrë të krizës më të rëndë bërthamore në historinë e Japonisë”.
70 teknikët dhe inxhinierët që po punojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të sëmundjes nga radiacionet dhe shpërthimet, janë banorët e vetëm të zonës ku nuk ka mbetur më këmbë tjetër njeriu.
Më shumë se 700 kolegët e tyre janë larguar prej dy ditësh për arsye sigurie. Dhjetëra burrat e gratë që kanë mbetur, po zhvillojnë një betejë të heshtur në një luftë shumë-frontëshe.
Puna e tyre është e vështirë, por shpresat e të gjithë vendit të hedhura mbi ta, janë për këta njerëz, barra më e rëndë që ekziston. Gjithçka rreth tyre është veshur me mister.
Pak është thënë për guximin e tyre. Tokyo Electric Poëer Tepco, kompania që zotëron centralin, është treguar e kursyer në detaje.
Gjithë çfarë dihet është se ekipi-elitë punon në kushtet e një nxehtësie të lartë, të veshur në tutat mbrojtëse anti-radiacion e me turne, për të parandaluar në këtë mënyrë kontaminimin dhe kolapsin nga lodhja e madhe.
Megjithatë, pasojat e operacionit kanë nisur të shfaqen.
11 prej këtyre punonjësve, përfshirë edhe anëtarë të forcave të vetë-mbrojtjes, u plagosën nga shpërthimi i hidrogjenit në reaktorin numër 3. Kolegëve të tyre, ashtu si dhe pjesës tjetër të popullsisë, nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shohin me admirim.
“Këta njerëz po punojnë në mesin e rrezatimit, po luftojnë deri në fund”, shkruan në rrjetin social japonez Mixi, një punonjës i kompleksit Daini, fqinj me Daichi-n.
“Ju lutem mos harroni se atje ka njerëz që përpiqen të mbrojnë jetët tona, duke rrezikuar jetët e tyre”, shton ai.
Një detaj i vogël, por i rëndësishëm përcillet nga CNN: punëtorët e mbetur në kompleks, kanë dalë vullnetarë dhe rreziku me të cilin përballen nuk është aspak i vogël.
Ekspertët thonë se në mënyrë të pashmangshme, ata do të vuajnë pasojat e ekspozimit ndaj rrezatimeve të këtij niveli.
Top Channel