
Inxhinjerët në centralin bërthamor të dëmtuar të Fukushimës duket se kanë rikthyer energjinë elektrike në reaktorin e dytë, duke e bërë të mundur edhe riaktivizimin e sistemit të tij të ftohjes.
Lajmi u bë i ditur nga një zëdhënës për shtyp i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Situata kritike në katër prej gjashtë reaktorëve të Fukushimës është shkaktuar pikërisht nga dëmtimet që shkaktoi tërmeti i 11 marsit në sistemin e ftohjes.
Si rrjedhojë e mbinxehjes, të paktën katër shpërthime janë regjistruar në impiant, duke bërë që veshjet e dhomës ku qëndrojnë bërthamat radioaktive të dëmtohen dhe si rrjedhojë niveli i rrezatimeve në zonën përreth është rritur.
Ndërkohë, bilanci zyrtar i të vdekurve është rritur në 5 400 ditën e sotme, ndërsa mbi 9 500 persona janë të humbur.
Top Channel