Presidenti Bamir Topi rikonfirmoi sot, në një takim me ambasadorët Arvizu, Wolfarth dhe Sequi, mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 8 maj.
Sipas një njoftimi të Presidencës, Topi gjatë këtij takimi ka shprehur qëndrimin e tij që partitë politike në vend të bashkëpunojnë për një proces zgjedhor sa më demokratik.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe të vetë zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura”, ka deklaruar Topi.
Edhe ambasadorët janë shprehur të të njëjtit mendim, se palët duhet të fillojnë të përgatiten për zgjedhjet në mënyrë që ato të zhvillohen sipas standarteve dhe afateve kushtetuese.
“Është e domosdoshme që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike”, janë shprehur njëzëri Topi dhe ambasadorët.
Top Channel