Shtetet e Bashkuara janë vënë në alarm pas informacioneve se reaktori numër 4 në kompleksin 1 të Fukushimës, ka mbetur pa ujë, duke lënë kështu të ekspozuara shufrat bërthamore.
“Besojmë se uji ka zier deri në shterim”, njoftoi zëdhënësi i Komisionit Rregullator Nuklear në Amerikë, Gregory Jaczko.
Sipas tij, niveli i rrezatimit është ekstremisht i lartë dhe ndoshta në këtë pikë, masat korigjuese, mund të mos kenë efektin e shpresuar. Jazko mendon se dëmi në reaktor është më serioz nga sa e pranojnë japonezët dhe këshilloi amerikanët e ndodhur atje, të largohen nga një perimetër më i gjerë përreth centralit sesa pretendojnë ekspertët atje.
Deklaratat e tij hapin kështu një kapitull të ri në odisenë pesë ditore të përpjekjeve japoneze për të vënë nën kontrollo katër reaktorët e uzinës, të dëmtuar prej tërmetit dhe tsunamit shkatërrues të së premtes. Ajo nxjerr në pah edhe mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Tokios për këtë cështje, duke qenë se del në përfundimin se paralajmerimet e zyrtarëve japonezë, kanë qenë të pamjaftueshme dhe se kërcënimi i vërtetë që buron prej këtij kompleksi, është nënvleresuar.
Ndërkohë, është shënuar dhe rasti i parë i prekjes së një gazetari të huaj nga radiacionet. Lester Holt i NBC rrefeu pas kthimit nga Japonia ku raportoi mbi katastrofën, se ishte kontaminuar, por gjurmët e rrezatimit, të vëna re edhe tek disa bashkëpunëtorë të tij, janë të një niveli të ulët.
Top Channel