Njeriu që ndryshoi futbollin kërkon ndihmë

16/03/2011 18:30

Ndonëse në ditët e sotme pothuajse askush nuk e njeh, Jean-Marc Bosman është një prej njerëzve që kanë ndryshuar përgjithmonë historinë e futbollit.

Pikërisht falë tij, futbollistët në përfundim kontrate janë në gjendje të qarkullojnë lirisht në Europë, pavarësisht kombësisë, njësoj si punëtorë të zakonshëm.

Vetë Bosmanit i ishin dashur pesë vjet luftë me klubin, për t’u larguar prej tij, në një kohë kur marrëdhëniet e punës nuk përcaktoheshin nëpërmjet kontratave të detajuara.

Ai ngriti çështjen në gjykatë, duke sjellë këtë ndryshim kolosal. Megjithatë, fama e fituar zgjati shumë pak. Sot, Bosman është një njeri në depresion, i divorcuar dhe i shkatërruar prej alkoolit.

”Më duhet të përdor antidepresivë. Luftova për vite për të mbrojtur bindjet e mia, por tani s’më ka mbetur më asgjë”, thotë i dëshpëruar belgu që pasi fitoi betejën me FIFA-n, mbeti i zhytur në mjerim.

”Ndërsa flitet për ligjin Bosman, asnjëri nuk kujtohet për njeriun që i dha origjinën këtij ligji. Unë pasurova botën e futbollit, por tani kam mbetur duarbosh. Shpresoj vetëm në një mirënjohje minimale”.

Bosman, i papunë, sot jeton me një asistencë sociale prej 700 eurosh në muaj. “Merrni si shembull një futbollist si Rooney. Ai falë meje fiton 40 mijë euro në ditë, por nuk bën asgjë për mua. Kam nevojë për ndihmë nga organet e futbollit, do të doja të paktën një pagë dinjitoze”.

Në deklaratën e tij, zoti Bosman sulmoi edhe presidentin e FIFA-s, Joseph Blatter. “Nuk kam respekt për Blater. Për mua, ai është vetëm Zoti Bla-Bla-Bla”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA