Ndryshon projekti i unazës së re

16/03/2011 20:50

Ndryshon projekti i ndërtimit të unazës së madhe. Tashmë nuk do të ketë më rrethrrotullim pranë kopshtit botanik, që i merr atij një sipërfqae prej 2.5 hektarë, por do të jetë një trajektore që e prek kopshtin me vetëm 10 metër në brendësi.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olladshi shrehet se mund të ndryshojë vetëm hyrja e kopshtit botanik.

“Shqetësimi fillestar ka lindur me këtë rrethrrotullim dhe ne kemi bërë një zgjidhje tjetër, duke kaluar në këtë variant përfundimtar, që heq rrethrrotullimin. Ne kemi propozuar që hyrja e kopshtit botanik të bëhet në një aks tjetër. I prekim atij vetëm 10 metra në thellësi”, deklaron Olldashi.

Ministri i Punëve Publike saktëson se është dashur të hartojnë një projekt të ri pasi bashkia e Tiranës nuk e vuri në dispozicion projektin e hartuar në bashkëpunim me BERZH dhe se e gjithë zhurma është një sulm politik i Partisë Socialste, e cila sipas tij dështoi në ndërtimin e unazës së madhe për qytetin e Tiranës.

“Nuk është e saktë që s’jemi konsultuar. Ne kemi reflektuar pas problemit për rrethrrotullimin. Projekti që ishte gati nuk doli kurrë, bashkia nuk e publikoi. Ajo që është afishuar është një hartë, jo projekti i BERZH-it. Për të shmangur sherrin me bashkinë ne hartuam një projekt tjetër”, sqaron Olldashi.

E ndërsa ministri shprehet se janë konsultuar për hartimin e projektit për ndërtimin e unazës së madhe, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Ilirjan Malollari deklaron se një ditë më parë ka kërkuar informacion se c’do të ndodhë në kopshtin botanik.

“I jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve Publike. Kam takuar edhe drejtorin e Drejtorisë së Rrugëve që më tha se ka një plan të miratuar për unazën e re që do kalojë përmes kopshtit. Ne kemi kërkuar informacion për të marrë vesh se c’ka ndërmend të bëhet atje”, thotë Malollari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA