Mbrojtja e gjuhës së huaj, për të gjithë studentët që duan të ndjekin pasuniversitar, është e domosdoshme. Madje kriteri kryesor dhe primar për të gjithë konkurrentët për një cikël studimi pasuniversitar është pikërisht mbrojta e të paktën një gjuhe të huaj.
Por referencat, rezultatet dhe arritjet e studentëve në këtë rast duhet të jenë të vlerësuara nga një institucion ndërkombëtar i gjuhëve të huaja. Rregullat për të gjithë studentët janë të parashikuara qartë në ligjin e arsimit të lartë.
Tratativat
Me ndryshimet e miratuara gati një vit më parë, sqarohen të gjitha procedurat dhe mënyrat sesi duhet të paraqitet i dokumentuar, vërtetimi i certifikimit të gjuhës së huaj nga një institucion ndërkombëtar. Duke qenë se për pak kohë mbushet plot një vit nga miratimi i ligjit, institucionet e arsimit të lartë, duke huazuar edhe nga vendet perëndimore, kërkojnë të marrin ekskluziviteti, duke hapur rrugën e bashkëpunimit mes institucioneve të certifikimit ndërkombëtar të gjuhës së huaj. Kështu një universitet publik apo privat fiton të drejtën për t’u afirmuar si qendër e dhënies së provimeve apo përgatitjeve të studentëve kandidatë për doktorantë dhe master. Nisur nga prestigji që do t’i jepet universitetit që do të marrë një ekskluzivitet të tillë, ka nisur lufta mes institucioneve publike e private. Ndërsa universitetet publike do të konkurrojnë me traditën, vitet e punës, marrëdhënieve me publikun e “armës” së negocimit, privatëve u mbetet të gjejnë argumente bindëse dhe bashkëpunime të frytshme nëpërmjet kooperimeve mes këtyre institucioneve certifikuese. Sipas të dhënave operative mësohet se një pjesë e mirë e universiteteve tanimë kanë përcaktuar grupet negociatore për të konkurruar “rivalët”…
Ligji i arsimit të lartë
Propozimi dhe neni që përmbante kriterin e njohjes së gjuhës së huaj nga institucione ndërkombëtare është kundërshtuar e është hedhur poshtë nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja që deri tani ka garantuar certifikimin e testeve për të gjithë ata që kanë dashur të mbrojnë gjuhën e huaj. Por sipas ligjit të arsimit të lartë, ky certifikim në mënyrë për të fituar masterin apo doktoraturën duhet të ishte ndërkombëtar dhe jo kombëtar. Sakaq, vitet e kaluara të gjitha fakultetet kanë pasur kriter për studentët konkurrues, njohjen e gjuhëve të huaja të mbrojtura nga certifikata e dokumente ligjore, të njohura ndërkombëtarisht, por edhe institucionet shqiptare që i kanë licencuar ato për të qenë në treg. Në një nga mbledhjet e fundit, Komisionit të Arsimit të Lartë Shqiptar, Ministria e Arsimit ka propozuar licencimin e pesë kompanive të huaja ndërkombëtare, të njohura si institucione të certifikimit ndërkombëtar të gjuhëve të huaja. Sipas ligjit të arsimit të lartë, gjuha angleze do të jetë kriter për ndjekjen e studimeve Master dhe Doktoraturë. Por para plotësimit të dokumenteve për konkurrim, të gjithë studentët duhet të kenë me vete edhe diplomën apo certifikatën e mbrojtjes së gjuhës së huaj nga institucione të njohura për certifikimin ndërkombëtar.
Top Channel