Brenda tre ditësh Partia Demokratike do të mbyllë dhe më pas do të firmosë me aleatët marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet lokale të 8 majit.
Sipas burimeve zyrtare, ky koalicion do të jetë edhe më i madh sesa në zgjedhjet parlamentare, ku garuan së bashku me Partinë Demokratike edhe 15 parti të tjera.
Por vendin kryesor të aleatëve demokratë e zë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ka siguruar deri tani garimin me kandidatët e saj në zona të lira në të paktën 10 prej 66 bashkive të vendit.
Disa prej këtyre bashkive janë të nivelit të parë, qendër qarku, si Elbasani, njëra nga bashkitë më të mëdha në vend, Lezha dhe Gjirokastra, që besohet se do të garojë një kandidat i LSI-së.
Bashkitë e tjera kryesore janë Pogradeci, Lushnja, Përmeti, Orikumi, Rrogozhina, Erseka dhe Corovoda, ku aleatët qeverisës kanë gjykuar se kandidatët e LSI-së janë më të fortë për t’u përballur me rivalët socialistë.
Ndërkohë, me afrimin e datës kur kandidatët duhet të regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është mësuar edhe një vendim tjetër i rëndësishëm i demokratëve.
Në bashkinë e Vlorës Partia Demokratike do të ketë kandidat Ardian Kollozin, i cili do të duhet të heqë dorë nga mandati i deputetit për të garuar në një nga bastionet më të forta të Partisë Socialiste.
Vendimi tjetër i rëndësishëm i Partisë Demokratike është se Himara do të dalë me kandidatin e saj, duke zgjedhur kështu në mënyrë përfundimtare të mos mbështesë Vasil Bollanon, i cili duket se këtë herë ka mbetur i vetmuar, pa mbështetjen politike të dy forcave më të mëdha politike.
Por, këto ditë demokratët kanë marrë edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, që lidhet me kryekandidatin e Partise Demokratike për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Kandidatura e zotit Basha do të shpallet zyrtarisht një javë përpara skadimit të afatit ligjor për rregjistrimin e kandidatëve në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Dhe koha nuk është aspak e rastësishme, pasi shpallja e Lulzim Bashës si kandidat për bashkinë e Tiranës është menduar të bëhet më 22 Mars, një ditë që për demokratët simbolizon fitoren në zgjedhje.
Top Channel