Gjykata e Përmetit pezulloi gjithë proçeset për ndryshim të kombësisë nga shqiptare në greke, pasi ju drejtua me një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e neneve që lidhen me kombësinë në ligjin e gjendjes civile.
Kjo është kërkesa e dytë që i bëhet kushtetueses në lidhje me këtë çështje, më herët ishte kryetari Gjykatës së Sarandës ai që kërkoi shfuqizimin e neneve që lejonin ndryshimin e kombësisë.
Në Gjykatën e Përmetit janë dhënë 500 vendime për ndryshim kombësie ndërkohë që ka fluks të rritur të kërkesave të reja.
Për këtë arsye drejtuesit e kësaj gjykate i kërkuan Gjykatës Kushtetuese shfyqizimin e neneve në ligjin për gjendjet civile që lehtëson ndryshimin e kombësisë.
Nenet e ligjit të majit të vitit 2009 që kërkohet të shfuqizohen janë ato që bien ndesh me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Shqipërisë për përcaktimin e kombësisë.
Gjatë një turi në disa gjykata në Korçë, Gjirokastër e Shkodër, nënkryetari Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu vërejti me shqetësim numrin e lartë të vendimeve për ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në greke.
Sipas tij, duhet që të bëheshin ndryshime në ligjin për gjendjen civile, i cili në vitin 2009 i hapi rrugën ndryshimit lehtësisht të kombësive.
Në Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, por edhe Shkodër ka shkuar në disa mijëra numri personave që kanë lënë kombësinë shqiptare për të marrë atë greke ose edhe serbe.
Top Channel