Kopjacëve u digjet universiteti

16/03/2011 14:25

Maturantët që do të tentojnë të kopjojnë apo që do të identifikohen me mjete të tilla do të penalizohen keqazi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nëpërmjet një udhëzimi të hartuar së fundmi nga MASH, thuhet se çdo i ri që do të kapet me kopje do të përjashtohet nga provimi, dhe jo vetëm.

Masat që do të merren ndaj tij do të jenë të rënda, pasi maturanti do të skualifikohet në mënyrë të menjëhershme nga procesi i maturës së këtij viti. Rrjedhimisht ata do të humbasin të drejtën për të ndjekur studimet e larta për vitin 2011-2012.

“Rripi” ka filluar të ngushtohet edhe më shumë. Ndonëse ky ishte një nga vendimet më të fundit të ministrit të Arsimit, zyrtarisht sqarohet se është në fuqi edhe udhëzimi për heqjen e sezonit të vjeshtës për maturantët.

Rrjedhimisht të rinjtë do të duhet të bëjnë një vit “stazh”, do t’u duhet të presin edhe një vit për të ridhënë provimet e maturës shtetërore. Në muajin nëntor të vitit 2010, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, tha se sistemi i Maturës Shtetërore për vitin 2011-2012 do të pësojë një sërë ndryshimesh në krahasim me atë të viteve të kaluara.

Kjo do të thotë që maturantët do t’i nënshtrohen rregullave më të rrepta për të fituar një të drejtë studimi në universitetet shqiptare. Ndryshimi apo risia me të cilën do të përballen maturantët këtë vit ka të bëjë me “zhdukjen” e sezonit të vjeshtës.

Sipas Tafajt, kjo risi parashikon dy pika kyçe. Fillimisht bëhet e ditur se maturantët, edhe pse mund të jenë kalues në testet e detyruara, do t’ju duhet t’i nënshtrohen edhe atyre me zgjedhje në mënyrë të detyruar. Në të kundërt, ministri pohon se të rinjtë që nuk zhvillojnë provimet me zgjedhje nuk do të pajisen me diplomë pjekurie.

Pra tre vitet e gjimnazit nuk do të konsiderohen të përfunduara.

Nga ana tjetër Tafaj pohoi se me ndryshimet që pritet të realizohen vitin e ardhshëm është parashikuar edhe një tjetër element i rëndësishëm. Kjo, sipas tij, ka të bëjë me sezonin e vjeshtës që është aplikuar për vite me radhë në të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Shqipërisë.

Maturantët, që pasi zhvillojnë provimet e detyruara apo ato me zgjedhje, rezultojnë mbetës në ndonjërin prej tyre, do të fitojnë të drejtën për t’i ridhënë ato vitin tjetër. Kjo do të thotë që çdo i ri, që për fat të keq nuk ka mundur të dalë me rezultate pozitive në testet e detyruara apo me zgjedhje, nuk do të ketë shansin e ish-maturantëve të tjerë. Pra, nuk do të ketë një sezon të posaçëm vjeshte për t’i rizhvilluar ato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA