Pirateria televizive vazhdon megjithë gjobat e vëna nga Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit. Situata është aq e rëndë, sa kryetarja Endira Bushati kërkoi ndihmën e komisionit parlamentar të medias të ndikojë me autoritetin e vet.
“Të ndikojë me autoritetin e vet për të gjithë operatorët dhe institucionet shtetërore që të angazhohen në një luftë ndaj piraterisë, që është kthyer në një gangrenë për tregun dhe kërcënon konkurrencën e ndjeshme në të. Theksoj luftën që po bën KKRT ndaj rrjeteve kabllore, që transmetojnë produkte të blera nga operatorë ligjorë, si dhe vjedhjet nga platforma “Tring”, ndaj të cilës ka ankesa. Mendoj se një nga kërkesat e ligjit të ri duhet të jetë pikërisht forcimi i kritereve ligjore ndaj operatorëve që shkelin të drejtat e transmetimit”, ka deklaruar Bushati.
Kryetarja e KKRT u ankua në komision për pamundësitë teknike të institucionit për të monitoruar në kohë reale tërë operatorët që veprojnë në treg.
Përvec operatorëve të zonës Tiranë-Durrës, operartorët e tjerë monitorohen në bazë të inspektimeve të herëpashershme në terren.
Një financim i Bashkimit Europian për një monitorim online ka mbetur peng i miratimit nga Parlamenti i ligjit të ri për radio-televizonet.
Top Channel