Fsheh pistoletën në makinën e policisë

16/03/2011 14:15

Një i dyshuar për mbajtje të lëndëve narkotike dhe mbajtje armësh ka mundur të shpëtojë nga arrestimi i momentit, duke fshehur një pistoletë të vogël poshtë sediljes së makinës së policisë.

Me duar në pranga, ai ka mundur të nxjerrë pistoletën nga mbathjet, ku mendohet se e mbante dhe ta hidhte në makinë, me qëllim që kur t’i bëhej kontroll i imtë, mos t’i gjendej.

Ngjarja nuk i përket ndonjë skenari filmi, por ka ndodhur me shërbimet e Komisariatit nr. 2, të cilat kanë shpallur në kërkim të dyshuarin, ndërkohë që pistoleta është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Burimet policore shprehen se ky nuk ka qenë një gabim i uniformave blu, por i shoqëruari ka mundur të tregohet gjakftohtë dhe t’ia arrijë qëllimit për të qenë i lirë, deri në momentin që të arrestohet sërish.

Sipas të dhënave, dy ditë më parë, shërbimet e Komisariatit nr. 2 janë vënë në dijeni se dy persona po rrinin bashkë te zona e ‘Tiranës së Re’.

Nga informacionet, policia është vënë në dijeni se ata mund të kishin armë dhe kanabis me vete.

Menjëherë, një patrullë policie është dërguar tek ata dhe ndaj tyre është ushtruar kontroll fizik. Madje, kontroll është ushtruar edhe në makinën e tyre.

Por, fillimisht atyre nuk u është gjetur asgjë, kështu që është vendosur shoqërimi i tyre në Komisariatin nr. 2, ku do t’u kryhej kontroll i imët. Gjatë rrugës, atyre u janë vendosur prangat dhe janë dërguar në ambientet policore.

Në komisariat, ata janë kontrolluar bashkë me mjetin, por nuk u është gjetur asgjë. Kështu, të dy personat e dyshuar janë lënë të lirë bashkë me mjetin e tyre.

Por, pa kaluar shumë kohë, patrulla e policisë ka njoftuar se në sediljen e pasme, ku mbahen të shoqëruarit ose të ndaluarit, poshtë saj është gjetur një pistoletë tip “Zastava miniblou”.

Pistoleta është sekuestruar, ndërkohë që janë marrë edhe gjurmët në të. Më pas, dy punonjësit e patrullës janë pyetur se kush kishte qenë në këtë makinë dhe ka rezultuar se prej saj ishte shoqëruar Luan Idriz Maçi, 26 vjeç, një nga dy të rinjtë e dyshuar për armëmbajtje dhe lëndë narkotike.

Menjëherë, policia ka shkuar në banesën e tij me qëllim për ta shoqëruar sërish, por ai nuk është gjetur më.

Madje, ai ka fikur edhe numrin e telefonit, ndërkohë që policia ka bërë shpalljen e tij në kërkim.

Policia tha se priten edhe shenjat e gishtave për të vërtetuar se arma i përkiste personit të shpallur në kërkim.

Nga hetimet e kryera nga shërbimet policore mësohet se ai mund të ketë përfituar nga mosvëmendja e punonjësve të patrullës, që ndodheshin në vendet e para të makinës. Gjatë shoqërimit, ai ka nxjerrë pistoletën e vogël nga xhepi ose nga mbathjet dhe më pas e ka hedhur te këmbët.

Duke e shtyrë me këmbë, ai mendohet se e ka hedhur poshtë sediljes dhe kur është kontrolluar imtësisht në komisariat nuk i është gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA