Borxhet që familjarët ne total i kanë Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare sipas të dhënave zyrtare janë rreth 39 miliardë lekë, ose gati 400 milionë dollarë.
Këto detyrime janë krijuar që nga fillimi i viteve ‘90 e deri në fund të dhjetorit të 2006-ës. Ato përbëjnë jo pak por rreth 3 për qind të produktit të brendshëm kombëtar.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria po përgatit nismën ligjore për të falur një pjesë të këtyre borxheve, më saktësisht ato të cilat u përkasin familjeve me të ardhura të ulëta.
Edhe pse ende nuk ka një përllogaritje zyrtare se c’pjesë të këtij borxhi zënë këto familje, mendohet se shifra e faljes mund të arrijë deri në 20 miliardë lekë, e konfirmuar kjo edhe nga ekspertë që e njohin mirë sektorin.
Që nga fillimi i viteve 90, sektori energjitik shqiptar ka përshkuar një fazë të gjatë tranzicioni, ku një pjesë e mirë e energjisë në vite nuk është arkëtuar.
Kjo ka bërë që borxhi i akumuluar të jetë në shifra të larta dhe madje disa ekspertë thonë se një pjesë e mirë e tij tashmë nuk mund të mblidhet.
Edhe pse në vite dihen se cilat janë zonat që kanë patur arkëtimet më të ulëta të energjisë, ende nuk ka një të dhënë të saktë dhe zyrtare se si është shpërndarja gjeografike e këtij borxhi.
Kjo nuk është hera e parë kur një qeveri shqiptare premton në publik se do të amnistojë detyrimet e prapambetura që familjet i kanë KESH-it.
Edhe ish-kryeministri socialist Fatos Nano, lajmëroi në vitin 2000 një nismë të tillë, e cila u kundërshtua dhe nuk u realizua. Gjatë vitit 2008 pati një falje për kamat-vonesat, por vetëm për një periudhë të shkurtuar.
Top Channel