Arvizu: Zgjedhjet, me ligjin aktual

16/03/2011 15:45

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, gjatë një takimi me të zgjedhurit lokalë në Lushnje bëri thirrje që politika të ulë tonet dhe të merret me zgjedhjet.

Arvizu deklaroi se nuk ka kohë për ndryshime në ligjin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye duhet të punohet me kodin zgjedhor që është në fuqi.

“Kam dëgjuar se ka pyetje për listat e komisionet, të gjitha këto janë të vlefshme. Vërtetë shpresoj që partitë të mos presin deri sa të fillojnë zgjedhjet në mënyrë që t’i adresojnë sic duhet këto cështje. Komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar dhe ne po punojmë me KQZ, por kuptohet që sipërmarrja më e madhe është OSBE/ODIHIR. Dhe më vonë, kur të kthehem në kryeqytet, unë së bashku me shefin e OSBE dhe shefin e BE do takohemi me presidentin Topi për të diskutuar për këto cështje”, deklaroi Arvizu.

“Jam informuar që fushata zyrtarisht duhet të fillojë në 8 prill, mendoj se nuk ka kohë për të rishkruar apo ndryshuar kodin zgjedhior, është shumë vonë. Megjithatë, mendoj që ka kohë mjaftueshëm për të trajtuar disa pyetje specifike lidhur me kodin. Është e rëndësishme që të respektohet procesi kushtetues në Shqipëri, presidenti i Republikës ka shpallur 8 majin si ditën e zgjedhjeve vendore. Prandaj menoj që zgjedhjet në datën 8 maj duhet të jenë më të mirat të mundshme që duhet të realizohen në këtë ditë”, theksoi Arvizu.

Në takimin me drejtuesit e bashkisë së Lushnjes, Arvizu u interesua vecanërisht për cështjen e listave. Ai pyeti bashkiakët nëse janë hequr nga lista shtetasit që kanë ndërruar jetë, si dhe dëgjoi shpjegimet në lidhje me emigrantët dhe procedurat e votimit të tyre.

Më pas, ambasadori vizitoi një shkollë në qytetin e Lushnjes, ku bëri inagurimin e një biblioteke. Nxënësit e shkolles “18 Tetori” uruan ambasadorin për ditëlindjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA