Karburanti i përftuar nga përzierja me naftën “Vergine”, sipas specialistëve shkatërron tërësisht sistemin motorik të një automjeti.
Drejtoresha e laboratorit në qendrën e Inspektoriatit të Hidrokarbureve, tha se kjo përzierje është shumë e dëmshme, por edhe e vështirë për t’u konstatuar në treg.
Nga djegia e lëndës djegëse të përzierë me naftën “vergine” rritet ndjeshëm edhe ndotja në ajër.
“Nafta “vergine” nëse përzihet me një produkt tjetër prish parametrat e tij teknik dhe e nxjerr atë jashtë standartit, ndot automjetin ku mund të hidhet dhe ambjentin me nxjerrjen e squfurit”, ka deklaruar Anila Xhemalaj.
Nafta “vergine” është produkt i rafinerisë së Ballshit, e cila aktualisht nuk arrin ta përpunojë deri në fazën e fundit të saj për të dhënë një sërë produktesh.
Kjo lëndë e parë duhet të eksportohej jashtë, por rritja e akcizës me 50 lekë ka cuar në bllokimin e saj brenda vendit.
Drejtori i Inspektoriatit të Hidrokarburve, Ardian Alushi sqaron se gjatë këtij viti ka vendosur 140 gjoba, por në asnjë rast nuk ka konstatuar naftë “vergine” në treg.
“Sasia e squfurit është jo më shumë se 2 pika, këto janë treguesit bazë që ne analizojmë tek produkti. Ne nuk mund ta kapim naftën “vergine” si produkt në treg pasi përzihet, por në rastet kur e kemi kapur është bërë në bazë të ligjit”, ka deklaruar Alushi.
Në Shqipëri ka ende 3 mijë e 292 tonë naftë “vergine” të depozituar dhe rreziku që kjo sasi të futet në treg është sërish i pranishëm.
Top Channel