Drejtori i përgjithshëm i pastrimit të parave, Arben Doçi deklaron në një intervistë për Top Channel se ekzistojnë dyshime të forta për disa politikanë të përfshirë në pastrim parash.
“Nga 64 raste që kemi referuar në Prokurori tetë prej tyre kanë patur begraund korruptiv me persona të ekspozuar politikisht”, është shprehur Doçi.
Ai thotë se nuk mund të bëjë publike emra pasi këto çështje tashmë i janë përcjellë organave të drejtësisë për hetime të mëtejshme.
“Unë çoj vetëm informacione dhe informacioni jonë është inteligjent i cili nuk duhet përdorur. Ai është informacion konfidencial ku prokurorët mbi bazën e tyre duhet të hetojnë për të shkuar tek prova”, tha Dajçi.
Vitin e kaluar drejtoria e pastrimit të parave dërgoi në Prokurori 64 raste të dyshuara për pastrim parash, ndërkohë që 137 raste të tjera i janë përcjellë policisë për hetime të mëtejshme. Doçi zbulon sektorët më të rrezikuar.
“Problematikat lidhen me tepër me fushat më pak të formalizuara, si ajo me pasuritë e patundshme, ndërtimi, lojrat e fatit, kazinotë, lojrat e fatit etj”, deklaroi Dajçi.
Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë, miratoi me kusht të Bashkimit Europian, një ligj i cili i jep të drejtën agjencive të pastrimit të parave që të hetojnë edhe politikanët e huaj, deri në nivelet më të larta.
Top Channel