Opozita ka përkujtuar tre vjetorin e shpërthimit në Gërdec, nëpërmjet një proteste të zhvilluar në vendin e tragjedisë ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 200 të tjerë.
Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste është e vetmja rrugë që shqiptarët të kenë drejtësi për viktimat e shkaktuara gjatë këtyre viteve nga qeveria e kryeministrit Berisha.
Ai theksoi se opozita do të vazhdojë e vendosur në rrugën e saj, derisa qytetarët të marrin mbrapsht pronat që po u vidhen.
“Po bëhen tre vjet nga dita kur 26 njerëz të zakonshëm të këtij vendi u vranë dhe kujtimi i asaj vrasjeje makabër me duart e një shteti të vënë në dispozicion të pushtetit për përfitimet e paligjshme të oborrit të Saliut, kumbon më shumë se çdo fjalë sot… Shqiptarët vazhduan të vriten, ndërkohë që askush as për vrasjen e tre viteve më parë dhe as për vrasjet e mëpasshme nuk është ndëshkuar përpara drejtësisë”, është shprehur Rama.
“Çfarë mund të themi sot përveçse të rinënvizojmë se ne jemi e vetmja rrugë për Shqipërinë e shqiptarët, rruga që i nxjerr nga regjimi i kusarisë dhe i çliron nga dhuna e varfërisë, papunësisë dhe padrejtësisë… Drejtësia në këtë vend mund të vonojë, por kurrë nuk do të harrojë”, tha kreu i PS-së.
“Shipëria nuk mund të rrijë edhe në flamurin e NATO-s dhe të korrupsionit që mbrohet me zjarrin e pushtetit. Ai zjarr kërkon përgjigje dhe përgjigjja jonë është ecja përpara për të vendosur demokracinë të shprehur me votë. Vota kërkon çlirim dhe kërkon vetëm bashkimin tonë të shprehur me rezistencë. Kjo është një kohë për të rimarrë vendin mbrapsht dhe për t’ia dhënë qytetarëve të tij. Për të marrë pronat e grabitura dhe vënë në dispozicion të atyre që u takojnë dhe këta janë qytetarët e këtij vendi”, theksoi Rama.
Top Channel