Banesat, nuk ka ulje të çmimeve

15/03/2011 08:25

Çmimet e apartamenteve do të vijojnë të mbeten të larta dhe me tendencë rritëse, për aq kohë sa qytetet kryesore nuk kanë një plan rregullues.

Të paktën për Tiranën, banorët e këtij rajoni i kanë të pakta shpresat për të blerë një apartament me çmim më të ulët nga sa ofrohet sot, pasi ndërtuesit e kanë të pamundur të zhvillojnë objekte kur nuk ka një plan rregullues, që përcakton zonën se ku dhe si duhet ndërtuar.

Drejtori ekzekutiv i shoqatës, Maksi Muçi, tregon për “Shqip”, se në Tiranë gjendja paraqitet tepër kritike dhe do të vazhdojë kështu deri sa qeveria të miratojë planin rregullues.

“Ndryshimet në ligjin ‘Për urbanistikën’ nuk po futen në fuqi dhe vijojnë të shtyhen, kur si afat i fundit është lënë shtatori i këtij viti. Miratimi i këtij ligji i hap rrugë shkrirjes së KRT-ve dhe vendosjes së afateve për përgatitjen e planeve”, tregon Muçi.

Sipas tij, sektori i ndërtimit ka qenë i mbërthyer nga një situatë e vërtetë krize në tre vitet e fundit dhe nuk po mundet të dalë nga spiralja e bllokimit.

“Sikur të mos mjaftonin mungesat e lejeve të ndërtimit, tani sektori po përballet edhe me detyrimet e pashlyera të qeverisë. Në banka janë marrë kredi që duhen shlyer, por ndërtuesit nuk kanë mundësi, pasi nuk po punojnë”, thekson Muçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA