20 vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA

15/03/2011 16:40

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka përshëndetur marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe SHBA-vë në 20 vjetorin e vendosjes së marrëdhënies mes dy vendeve.

Në një ceremoni të zhvilluar në Ministrinë e Jashtme, kryediplomati amerikan në Tiranë, ka theksuar se duhet të shikojmë gjithmonë mbrapa në histori për të vlerësuar arritjet dhe përcaktuar rrugën për të ardhmen.

Arvizu theksoi optimizmin e tij për të ardhmen e Shqipërisë dhe marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Tiranës.

“Është një javë mjaft e rëndësishme duke filluar që dje kur ishte edhe dita e verës. Është e rëndësishme që ne të shikojmë pas dhe të kuptojmë rëndësinë e asaj çfarë kemi, për të ardhmen. Pak momente më parë edhe në ambasadë zhvilluam një ceremoni për të përkujtuar këtë ditë. Stafi i ambasadës më dha si dhuratë një portret mjaft të madh të vizitës së sekretarit Bejker në Shqipëri që u prit nga mijëra shqiptarë. Është diçka e mrekullueshme kur krahason periudhat. Ajo ndjenjë e madhe e asaj kohe mua më duket sikur e ndjej edhe sot”, është shprehur Arvizu.

“Shumë njerëz janë të përqëndruar në politikën e ditës. Është mirë që të kesh dallime politike, është e rregullt që të kemi vizione të ndryshme për të ardhmen, ndërsa regjimet komuniste nuk mendonin se duhet të kishte dallime politike. E rëndësishme është që diferencat t’i kthejmë në avantazhe. Nuk them se dallimet janë pa kuptim, por duhet t’i kalojmë dhe të hedhim vështrimin përpara”, theksoi Arvizu.

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij ka theksuar se SHBA-të kanë qenë vendimtare për ekzistencën e Shqipërisë, në periudha të caktuara të historisë, duke shpjeguar edhe proamerikanizmin e lindur të shqiptarëve.

“Sot ne nderojmë një datë të veçantë, vendosjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtyllën kryesore të lirisë në botë. 20 vjet më parë, në më pak se një muaj të përmbysjes së diktaturës komuniste, qeveria amerikane vendosi të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, me bindjen se demokracia është vendosur në këtë vend”, tha Berisha.

“Ne kemi pasur një histori të komplikuar dhe në kohërat e reja ajo ka qenë ndër më të egrat ndaj këtij kombi. Ne kemi përjetuar drama shumë të mëdha, pushtime të zgjatura, copëtime të pamerituara, diktatura ndër më të egrat, të gjitha këto që edhe mund të na shuanin nga faqja e dheut. Por sërish kemi qenë komb i bekuar sepse në çdo moment kritik, të vendosur përpara alternativës ‘To be or not to be’, kemi pasur mbështetjen e SHBA-ve. Këtu qendron edhe fakti përcaktues i proamerikanizmit të lindur të shqiptarëve”, theksoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA