Partia Demokratike Shqiptare kërkon ridefinimin e kufijve të njësive zgjedhore, pasi njësia numër 6 e cila nxjerr numrin më të madh të deputetëve shqiptarë, i ka tejkaluar kufijtë e parashikuar ligjor të numrit të votuesve.
Sipas PDSH-së, ndryshimi i kufijve të hartës zgjedhore do të ndikonte që shqiptarët të fitojnë së paku 5 mandate deputetësh më tepër se sa kanë aktualisht.
“Kërkesa jonë është ligjore, prej të gjitha kërkesave të opozitarëve të tjerë kërkesa jonë është ligjore. Nëse mbahen zgjedhjet në njësin zgjedhore numër 6, gjykata kushtetuese mund t’i shpallë zgjedhjet të paligjshme”, është shprehur Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Thaçi hodhi poshtë mundësinë për dialog me partinë shqiptare në pushtet, BDI-në, për shkak të afërsisë që ka lideri i saj, Ali Ahmeti me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski.
“S’ka dialog brenda shqiptar derisa Aliu është në prehrin e Gruevskit, nuk llogaritet shqiptar”, theksoi Thaçi.
Lideri PDSH-së tha se partia që ai drejton synon që t’i fitojë zgjedhjet tek shqiptarët dhe më pas të hap negociata të vërteta me maqedonasit për të nxjerrë vendin nga kriza.
Top Channel