Brenda tre orësh gjykata e Tiranës ka njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë në mungesë për 12 të akuzuarit e skandalit të nënproduktit të naftës bruto “vergine”, ndërsa dy persona të tjerë deklarohen nga prokuroria si në kërkim për llogari të kësaj dosjeje.
Të arrestuarit e pak ditëve më parë u njohën njëri pas tjetrit me masën përgjatë seancës me dyer të mbyllura, ndërkohë që njërit prej të akuzuarve iu prezantua masa në spital, për shkak të problemeve të tij me shëndetin.
Mësohet se asnjëri nga të pandehurit nën akuzë për mashtrim me pasoja të rënda, shpërdorim detyre, falsifikim të dokumentave dhe pastrim të produkteve nuk ka dhënë ndonjë deklaratë, përvec paraqitjes së gjeneraliteteve.
Prokuroria bën me dije se, përvec dokumentave të sekuestruara që vërtetojnë skandalin, disa nga këta persona kanë qenë nën përgjim për disa muaj me radhë, ku dhe deklarojnë planet e tyre në rast se ata do të thirreshin për të dëshmuar nga organi i akuzës.
Mes të implikuarve në skandalin që përfshin harkun e dy viteve abuzimi me nënproduktin e naftës bruto dhe që është tregtuar në dëm të konsumatorëve duke e paraqitur si benzinë të pastër, përfshihen disa persona nga struktura të ndryshme.
Konkretisht janë nën akuzë dhe qendruan në paraburgim disa nga doganierët, si Edmond Ferraj, apo specialisti i tatimeve Dashamir Kasaj, administratori i “Euroil”, Hajri Elezaj dhe ai i subjektit tjetër privat “Fisheku”, Ilias Fisheku, si dhe shoferë e magazinerë që dyshohen të jenë pjesë e këtij skandali të denoncuar më së pari nga ish-ministri Dritan Prifti.
Top Channel