
Socialistët kanë akuzuar kryeministrin Berisha, i cili sipas deputetit Taulant Balla, është drejtuesi i rrjetit mafioz që i ka grabitur shqiptarëve përmes aferës së naftës më shumë se 80 milionë euro.
“Si ka mundësi që edhe në këtë rast, ashtu si edhe për bizneset e mafias italiane Sacra Corona Unita, apo bizneset e Fazllicit, llogaritë dhe regjistrin kontabël i mban Shpresa Brecani, mbesa e kryeministrit Sali Berisha, emri i së cilës shfaqet në gjithë kompanitë e privilegjuara nga pushteti”, ka deklaruar Balla.
Sipas deputetit Balla, disa prej të arrestuarve janë miq të familjes së kryeministrit Berisha, ashtu sic një ndër të implikuarit kryesor, tha Balla, është ish-truproja i tij dhe sot nëndrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kulici.
Për socialistët, heshtja e kryeministrit flet për implikimin personal të tij në këtë skandal, ku sipas tyre janë përfshirë disa institucione.
“Ku je, Sali Berisha? Pse nuk flet për këtë kusari, pse të është mbyllur goja? Si ka mundësi që asnjë institucion në varësinë tënde, Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Tatimeve, Inspektoriati Qëndror Teknik nuk bënë asgjë për ta ndaluar këtë mashtrim”, ka pohuar Balla.
Në të njëjtën kohë, socialistët i kanë bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e 15 marsit në Gërdec, në orën 17, në trevjetorin e tragjedisë ku mbetën të vrare 26 persona.
Top Channel