Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, njësoj si paraardhësi i tij Fatmir Sejdiu, mund të përballet direkt me Gjykatën Kushtetuese.
Kjo pasi që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar të përgatisë lëndën, sipas të cilës pretendohet se Pacolli shkeli Kushtetutën kur votoi për qeverinë, ndonëse pak minuta më herët ishte zgjedhur president.
Në AAK deklarojnë se brenda javës që vjen pritet ta përfundojnë këtë çështje dhe ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, ku do të kërkohet interpretim për veprimin e Pacollit.
AAK ka vetëm 11 deputetë dhe për ta dërguar këtë në Gjykatën Kushtetuese, duhet që të mblidhen firmat e së paku 30 depuetëve. Për këtë arsye AAK nuk mundet e vetme që ta bëjë këtë, sepse duhet mbështetja edhe e partive tjera opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes.
“Deputetët e kanë iniciuar dhe e kanë përpunuar ekspertët. Nuk besoj se do të ketë rezerva nga të tjerët për ta përkrahur këtë iniciativë”, tha Ahmet Isufi, nënkryetari i AAK-së.
Megjithatë, në subjektet politike opozitare ende nuk ka një qëndrim nëse do të mbështetesin inciativën e AAK-së.
I kontaktuar përmes telefonit, Ismet Beqiri nga LDK, parti e cila ka 24 deputetë, tha se, ende nuk është marrë ndonjë vendim, porse tani për tani mbetet prioritare lënda e parë që LDK e ka dërguar në kushtetutese para disa ditësh.
Ndërsa, në Lëvizjen Vetëvendosje që ka 14 deputetë, thonë se do të shqyrtojnë idenë e AAK-së, nëse një gjë e tillë kërkohet.
“Nuk kam pasur ndonjë kërkesë nga ata, por nëse pa numrat tanë nuk shkon kjo nismë atëherë ne do ta shqyrtojmë”, deklaroi Glauk Konjufca, lëvizja “Vetëvendosje”.
Sidoqoftë për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese subjektet politike kanë afat deri më 22 mars të këtij viti.
Gjatë muajit shkurt, LDK dhe AAK i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një çështje tjetër, që ka të bëjë vetëm me procedurat e aplikuara në seancën e 22 shkurtit kur Kuvendi zgjodhi Presidentin e Kosovës.
Top Channel