Dy gola të Totit vendosen fatet e derbit të “nxehtë” mes Romës e Lacios luajtur ditën e sotmë në Olimpiko.
Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim 0-0 edhe pse Roma u tregua disi më agresive se kundërshtarët lacialë. Rrjedha e takimit do të ndryshohej vetëm në minutën e 70, ku topi pas një goditje standarte të ekzekutuar nga kapiteni verdhekuq, devijohet lehtë dhe përfundon pas shpinës së Musleras.
Pas këtij episodi, Lacio mundohet të reagojë duke lënë më shumë hapësira pas për kundërzbritjet e Romës. Pikërisht në një rast të tillë, skuadra e Montelas fiton një 11 metërsh, që merret përsipër nga kapiteni, i cili nuk gabon. Shënon golin e dytë dhe vulos fitoren e Romës, pasi minutat e mbetura janë shumë pak për skuadrën e Lacios.
Për t’u theksuar, ashtu sic edhe pritej, ishte tensioni në fushën e lojës, nga të dyja palët. Por ata që u penalizuan më shumë prej lojës së ashpër ishin dy futbollistët e Lacios që dolën me karton të kuq, Radu në minutën e 87 dhe Ledesma në sekondat e fundit.
Në ndeshjen e luajtur më herët, Milani është frenuar në barazim 1-1 në San Siro përballë Barit. Bari mbrohet me shumë lojtarë dhe në minutën e 39 të pjesës së parë arrin të realizojë golin pas një skeme në një goditje dënimi. Almiron pason shkurt në zonë dhe Rudolf mposht Abiatin me një goditje me të djathtën. Në pjesën e dytë Milan hidhet në sulm. Kuqezinjve i anulohet një gol i Robinjo (pozicion jashtë loje) dhe një i Ibrahimovic (prekje e topit me dorë).
Në minutën e ’74, Ibrahimovic del me karton të kuq për një goditje kundërshtarit në lojën pa top. Barazimi i Milan vjen vetëm në miuntën e 82 me anë të Kasanos, pas një krosimi të Antoninit nga krahu i majtë.
Ndërkohë, Udineze vazhdon të mahnisë. Friulianët këtë herë, shkatërruan në transfertë Kaljarin duke i shënuar plot 4 gola. Katania mposhti Sampdorian 1-0, po me këtë rezultat fitoi edhe Xhenoa ndaj Palermos, ndërsa Bolonja e Fiorentina fituan në transfertë 0-1 përkatësisht kundër, Leces dhe Kievos.
Të premten Interi barazoi me Breshian 1-1, ndërsa Juventusi barazoi mbrëmjen e së shtunës me Cezenën, 2-2. Ndeshja mes Parmës dhe Napolit mbrëmjen e së dielës mbyll javën e 29 të Serisë A.
Top Channel