Ambientalistët dhe opozita kundër projektit të unazës

13/03/2011 20:20

Ambjentalistë, banorë të zonës, dhe përfaqësues të Partisë socialiste kanë kundërshtuar vendimin e fundit të qeverisë i cili parashikon ndërtimin e Unazës së Madhe përgjatë territorit të Kopështit Botanik.

Për ambentalistin Lavdosh Ferruni, kjo do të sillte shkatërrimin e mijëra specieve që rriten prej vitesh në të vetmin kopësht botanik të Shqipërisë.

“Këtu është në miniaturë Shqipëria jonë, kjo është pasuria jonë, biodiversiteti i pakrahasueshëm që ka dhe kjo duhet mbrojtur me cdo kusht. Kjo është vetëm një, si cdo kryeqytet europian. Prandaj hiqni dorë nga kjo masakër dhe lërini specialistët të punojnë këtu e të nxjerrin në pah vlerat e mëdha që ka ky vend”, deklaroi ambientalisti, Lavdosh Ferruni.

Deputetët Eduard Shalsi dhe Besnik Bare, thanë se projekti i bashkisë i cili daton në vitin 2005 parashikonte ndërtimin e Unazës së Madhe e cila prekte vetëm gardhin e këtij kopështi.

“Me shumë kujdes, një projekt bashkë me BERZH-n dhe me konsultë të plotë me titullarët e këtij institucioni parashikonte që ky kopësht të mos cënohej. Tashmë ne shohim që një projekt dinjitoz i konsultuar e gjithëpërfshirës zëvendësohet nga një projekt fantazëm për të cilin askush nuk ka dijeni”, tha deputeti Shalsi.
“Është një krim intelektual e mjedisor që duhet ndaluar me cdo kusht. Bëjmë thirrje të ndalohet kjo masakër sepse projekti i mëparshëm nuk parashikonte këtë lloj gjymtimi të kopështit botanik”, u shpreh deputeti Bare.

Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë argumentuar se asgjësimi i këtij kopështi bie ndesh me parimet e kërkuara nga Bashkimi Europian ku ruajtja e mjedisit është shumë e rëndësishme, por edhe në kundërshtim me sloganet e fundit të Partisë Demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA